Levizja ne Shengen pas liberalizimit te vizave (Informacion)


Cfare ndodh nese qytetaret shqiptare do te shkelin rregullat e qendrimit? Qytetarëve shqiptarë do t’u kërkohet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla, jo vetëm gjatë hyrjes në vendet e BE-së por edhe gjatë qëndrimit të tyre në këto vende. Nëse qytetarët shqiptarë do të shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1-5 vjet.
Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatë vonesën.
Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin:
Së pari, nuk duhet të shkelin afatin e lejuar të qëndrimit që është 90 ditë për 180 ditë.
Së dyti, nuk duhet të shkelin legjislacionin vendas, kryesisht atë mbi punësimin. Pra, nëse kapen duke punuar, ata bëhen subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
Së treti, nuk duhet të bëhen problem për sigurinë publike, apo të përfshihen në aktivitete kriminale.
Së katërti, nuk duhet të bëhen barrë publike. Barrë publike janë personat të cilët nuk kanë të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, nëse shtetasit shqiptarë do të shkelin kushtet e lejuara për hyrjen dhe qëndrimin në një nga vendet e BE-së, atëherë ata do të penalizohen individualisht, - do t’u ndalohet hyrja në të gjitha vendet e BE-së për një periudhë deri në 5 vjet.

Të gjitha kushtet që u përmendën më lart që kanë të bëjnë me hyrjen dhe qëndrimin në zonën Shengen janë kushte që aplikohen për të gjithë të huajt në BE.

Kerkesat ndaj shtetasve shqiptare per te udhetuar lirisht drejt shteteve Shengen.
a) Pasaportë biometrike.

b) Deklarimi i qëllimit të udhëtimit si dhe paraqitja, para punonjësit të kontrollit kufitar, e dokumenteve që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.

Kur deklaron në kufi se po udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli dhe bileta e kthimit, nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor.

Kur deklaron se udhëton për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.

Kur deklaron se udhëton për arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar ( rastet e kryerjes së analizave etj.).

Kur deklaron se udhëton për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj.

Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë siguracionin shëndetësor (që përfshin udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit) dhe nëse udhëtohet me makinë, dokumentacionin e nevojshëm të makinës (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinës).

Mjetet e udhëtimit (bileta avioni, trageti,etj.)

Mjetet e jetesës gjatë qëndrimit në zonën Shengen

Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose tranzitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Po sa është kjo shumë?. Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli.

c) Shtetasi udhëtar nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

d) Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.

Nëse për çdo njerin shtetas është marrë një vendim nga autoritetet administrative kufitare apo ato gjyqësore të qoftë edhe njerit nga 24 vendet e Shengenit, përfshirë dhe Zvicrën, për t’i ndaluar hyrjen në atë vënd, dhe ky informacion është hedhur në sistemin SIS, ky person nuk mundet dhe nuk do lejohet të hyjë në asnjë nga këto vende; pra do të prapësohet, me të mbërritur në pikën e kalimit të kufirit të vendit të parë të hapësirës Shengen. Vendimet për të ndaluar hyrjen, janë kompëtencë e këtyre autoriteteve. Këto vendime meren për raste, të cilat i ka përcaktuar Kodi Shengen, dhe që janë:

Kur personi është dënuar për një vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënim minimal 1 vit burg.
Kur personi ka qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë (deportimi, kthimi apo dëbimi), që kryesisht zbatohen pë raste të qëndrimit të paligjshëm.
Kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë.
Vendimet të tilla, në të gjitha rastet u janë komunikuar me shkrim të interesuarve.

e) Për minorenët kërkohet të respektohen kushtet e lëvizjes së minorenëve nëse nuk janë të shoqëruar nga të dy prindërit.
Çdo udhëtar duhet të ketë parasysh se:
Autoritetet kufitare të shteteve anëtare Shengen kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen në zonën Shengen.

A mund te jetohet dhe te punohet ne shtetet e zones Shengen sipas rregullave te reja?

Jo. Rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Ato nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar, apo për të kërkuar azil, në këto shtete. Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë. Është e ndaluar të punohet në zonën Shengen pa leje pune apo të jetohet aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.

Liberalizimi i regjimit të vizave nuk u jep mundësi shtetasve shqiptarë të punojnë në vendet në të cilat ata do të mund të lëvizin, brenda periudhës së lejuar për të qëndruar. Madje vendimi për liberalizimin e regjimit të vizave do të përmendë si kusht, lëvizjen për qëllime të ndryshme, përjashtuar punësimin.

Punësimi i ligjshëm i shtetasve shqiptarë në një prej këtyre vendeve, do të mundësohet vetëm nëpërmjet lejeve të punës. Lejet e punës mund të merren vetëm në bazë të kontratave të punës dhe vizave të tipit D të cilat merren në ambasadën e atij vendi në të cilin është marrë kontrata e punës. Nëse një qytetar shqiptar ka siguruar një kontratë të vlefshme pune, atëherë ai do të mund të pajiset në Shqipëri me një vizë të tipi D dhe më pas, këtë vizë do ta kthejë, në vendin përkatës, në leje qëndrimi, me një afat deri në një vit.
Sa kohe mund te qendrojne qytetaret shqiptare ne zonen Shengen?
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen, (që përfshin Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, si edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës) maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes brenda një periudhë kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë).

Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Për shembull, nëse më datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon më datë 1 korrik. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore. Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).

Keto rregulla jane te vlefshme vetem per shtetasit shqiptare mbajtes te pasaportes biometrike
Meqenëse pasaportat jo-biometrike nuk vlejnë për lëvizjen e lirë pa viza, mbajtësit e tyre janë të detyruar të pajisen me vizë, para se të udhëtojnë për në këto vende. Për informacione të mëtejshme, duhet të kontaktoni autoritetet e shtetit shqiptar ose përfaqësitë konsullore të shteteve Shengen.

Koha e vlefshmërisë së pasaportave jo-biometrike do të përcaktohet nga autoritetet kompetente shqiptare.

Ne cilat shtete mund te udhetohet pa viza?
Rregullat e reja do të zbatohen për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër.

Shtetet për të cilat nuk kërkohet vizë: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër.

Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Shengen. Për rrjedhojë rregullat e reja nuk aplikohen në këto shtete. Për informimin mbi kërkesat e hyrjes në këto dy shtete, qytetarët shqiptarë duhet të kontaktojnë Seksionin e Vizave në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë dhe në Ambasadën e Irlandës në Greqi.

1 commento:

Shënim i Stafit

Opinionet e shprehura dhe studimet juridike e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese rreth së drejtës së autorit ne publikimet e ketij website, është I lutur te dërgoje një email edrejta1@gmail.com. Ne do ta shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni të drejtën e autorit