Fjalor i termave te Jurisprudences

A.
Akte nënligjore - Vendime, rregullore, udhëzime të nxjerra nga organet ekzekutive ose organet lokale në bazë dhe për zbatim të ligjit. Këto akte kanë karakter normativ-janë të detyrueshme për të gjithë.

Akte normative - Kuptimi i gjerë: Akte të nxjerra nga organet ligjvënës, ekzekutive ose lokale që janë të detyrueshme për të gjithë. Kuptimi i ngushtë: Aktet normative të Këshillit të Ministrave, institucioneve të tjera qendrore ose organeve lokale - Akte të miratuara nga Këshilli i Ministrave, institucionet e tjera qendrore ose organet lokale, në rast nevoje dhe urgjence, të cilat e humbasin fuqinë që nga fillimi në rast se nuk ratifikohen nga Kuvendi brenda një afati të caktuar kohor.

Amnisti - Një akt faljeje nxjerrë nga Presidenti i Republikës për të gjithë personat (ose kategori të caktuara personash) që janë dënuar për vepra penale me vendim gjyqësor të formës së prerë, ose që janë në procedim. Amnistia mund të përfshijë dhe mos procedim në të ardhmen të veprave penale të kryera gjatë një periudhe të caktuar. Në dallim nga falja, amnistia shpallet për kategori të dënuarish dhe jo për të dënuar të veçantë.

Avokati i Popullit - Organ që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të shtetasve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Avokati i Popullit merr ankime nga shtetasit dhe heton në lidhje me to. Ky organ vepron si ndërmjetës midis individit të prekur dhe shtetit. Zakonisht, njihet me termin suedez “ombudsman” për shkak të origjinës nga sistemi juridik suedez.

C

Censurë - Kontroll paraprak i mjeteve të komunikimit masiv, publikimeve, filmave, shfaqjeve etj., me qëllim ndalimin e publikimit, shpërndarjes, ose riprodhimit të materialeve për arsye politike, morale, fetare, etj. Veprime të tilla shpesh ankimohen si mohim i lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes.

D

Decentralizim - Delegim (ose shpërqendrim) i pushtetit ose kompetencave të organeve qendrore te hallkat e tyre më të ulëta hierarkike, ose nga organet qendrore te ato lokale dhe njohje e autonomisë së organeve të pushtetit lokal në planin politik, normativ dhe administrativ.

Dekret - Akt me karakter normativ ose nominal nxjerrë nga Presidenti i Republikës.

Delegim kompetencash - Kalim kompetencash nga një person, organ ose degë e pushtetit te një tjetër sipas rregullave kushtetuese dhe ligjore.

Denoncim - Akt i një shteti që njofton një shtet tjetër në lidhje me vendimin e tij për t’i dhënë fund një marrëveshjeje apo traktati ndërkombëtar të nënshkruar prej tyre. Denoncimet bëhen në bazë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Dëbim kolektiv - Akt shtetëror për largimin e një grupi individësh të huaj nga territori i shtetit si të padëshiruar.

E

E drejta ndërkombëtare - Tërësia e rregullave dhe parimeve me zbatim të përgjithshëm që rregullojnë sjelljen e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis tyre, si edhe disa marrëdhënie të tyre me persona fizikë ose juridikë. Zakonet ndërkombëtare dhe traktatet ndërkombëtare janë dy burimet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare.

Ekstradim - Dorëzimi nga një shtet te një shtet tjetër i një individi të akuzuar apo dënuar për një vepër penale jashtë territorit të shtetit ekstradues dhe brenda juridiksionit territorial të shtetit tjetër, i cili, duke qenë kompetent për nxjerrjen në gjyq dhe dënimin e individit në fjalë, kërkon dorëzimin e tij.

Ekuilibër pushtetesh - Parimi kushtetues i organizimit të pushteteve që i jep secilës degë të pushtetit shtetëror përgjegjësi për të kontrolluar veprimet e degëve të tjera; ky parim gjithashtu kërkon që kompetencat e çdo dege të jenë relativisht të ekuilibruara për të parandaluar mbizotërimin e një degë të pushtetit mbi të tjerat.

F

Fuqi prapavepruese e ligjit - Zbatim i ligjit për marrëdhënie që kanë lindur para hyrjes në fuqi të tij. Si rregull, ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Përjashtimisht, ai mund të ketë fuqi prapavepruese, sidomos në fushën penale. Në një rast të tillë, fuqia prapavepruese e ligjit duhet të parashikohet shprehimisht në të.

G

Gjendje e jashtëzakonshme - Regjim juridik i përkohshëm, i cili vendoset në rast rreziku serioz për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, dhe vepron si përjashtim nga parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme nënkupton përqendrimin e pushtetit në një degë të vetme të pushtetit, atë ekzekutiv, dhe pezullimin e disa garancive kushtetuese në lidhje me të drejta dhe liri të caktuara.

GJ

Gjendje e luftës - Gjendje e jashtëzakonshme shpallur si rezultat i një agresioni të armatosur nga jashtë.




I

Imunitet - Mbrojtje juridike e veçantë që iu garantohet personave me funksione të caktuara shtetërore. Imunitet parlamentar: Mbrojtje juridike e veçantë që gëzojnë deputetët me qëllim që parlamenti të veprojë në liri e pavarësi të plotë nga presionet e pushtetit ekzekutiv. Sipas Kushtetutës ekzistojnë dy tipe imunitetesh:
1. Papërgjegjshmëria për votat dhe mendimet e shprehura në ushtrimin e funksioneve të tyre.
2. Imuniteti nga procesi penal. Përveç anëtarëve të parlamentit, Kushtetuta ua garanton këtë status juridik të veçantë edhe disa personave të zgjedhur ose të emëruar në funksione të rëndësishme dhe te pavarura.

Interpelancë - Mjet kontrolli nëpërmjet të cilit Kuvendi kërkon sqarime ose të dhëna mbi veprimtarinë e qeverisë. Ky mjet ka për qëllim të qartësojë qëndrimin e qeverisë ose të një ministri të caktuar në lidhje me një situatë apo fakt të caktuar. Dy janë karakteristikat kryesore të këtij mjeti kontrolli:
1. hap një debat të përgjithshëm mbi qëndrimin e qeverisë;
2. sjell marrjen e një pozicioni nga ana e parlamentit përderisa debati mbyllet me një votim që shpreh pëlqimin apo pakënaqësinë e parlamentit për shpjegimet e dhëna nga qeveria. (Pika 2 nuk aplikohet në praktikën shqiptare).

K

Kanune - Kuptimi i gjerë: Përmbledhje aktesh, zakonesh e normash të trashëguara brez pas brezi; tërësia e normave të së drejtës zakonore. Kuptimi i ngushtë: Përmbledhje e normave të organizimit dhe administrimit të brendshëm të komuniteteve fetare.

Kushtetutë - Ligji themeltar i shtetit që shpreh parimet themelore të sistemit juridik. Dokumenti që përcakton normat themelore të organizimit të shtetit, strukturën dhe funksionet e organeve kryesore të qeverisjes së shtetit, parimet bazë të procesit politik dhe marrëdhëniet bazë të shtetasve me shtetin.

Kuvendi - Organi më i lartë ligjvënës në Republikën e Shqipërisë.

L

Ligj - Akt me karakter normativ (i detyrueshëm për të gjithë) nxjerrë nga organi ligjvënës (Kuvendi) sipas një procedure të caktuar.

Liria e shprehjes - E drejta e çdonjërit, e garantuar me Kushtetutë, për të shprehur me anë të fjalës mendime e pikëpamje të pakontrolluara nga censura ose çdo formë tjetër e ndërhyrjes së ekzekutivit.

Liria e shtypit - E drejta e çdonjërit, që në mënyrë të pacensuruar nga ekzekutivi, të shtypë, publikojë dhe shpërndajë mendime dhe pikëpamje, siç është garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë përfshin lirinë nga ndalimi paraprak i botimit.



M

Mandat - Legjitimim i përfaqësuesve të zgjedhur në organet përfaqësuese. Këta përfaqësues janë mbajtës të një mandati politik dhe jo imperativ. Kjo do të thotë se ata nuk marrin urdhra nga elektorati për të mbajtur qëndrime të caktuara politike dhe as nuk mund të shkarkohen prej tij. Nga ana tjetër, mandati përfaqësues nënkupton që të zgjedhurit nuk janë përfaqësues të individëve apo grupeve të veçanta, por të të gjithë kombit. Në kuptimin e ngushtë, mandati nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës të zgjedhurit ushtrojnë funksionet e tyre.

Mocion mosbesimi - Shprehje e mosbesimit të një grupi deputetësh për vijën politike të ndjekur nga qeveria. Miratimi i mocionit nga ana e Kuvendit sjell dorëheqjen e detyrueshme të qeverisë.

P

Papajtueshmëri - Pamundësi juridike për të ushtruar njëkohësisht disa funksione apo detyra të papajtueshme për nga natyra dhe vendi që zënë në skemën e ndarjes së pushteteve, si p.sh. funksioni i deputetit me atë të gjyqtarit ose të prokurorit.

Patjetërsueshme - E drejtë që nuk mund të hiqet ose ndryshohet me akte juridike ligjore ose nënligjore, si p.sh. e drejta e fjalës, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor etj.

Preambul - Pjesa hyrëse e tekstit kushtetues që përmban motivimin politik; shpreh gjithashtu objektiva, qëllime dhe parime që janë të vështira për t’u shprehur në nenet koncize të tekstit të Kushtetutës. Për shkak të përmbajtjes ideologjike, preambula ka rendësi veçanërisht në procesin e interpretimit të të gjithë tekstit kushtetues.

Projektligj - Tekst i propozuar nga organe, deputetë ose grup individësh që kanë të drejtën e iniciativës legjislative për miratim nga ana e Kuvendit.

Q

Qeverisje lokale - Organe qeverisjeje në nivel komune, bashkie apo rajoni. Organet përfaqësuese lokale janë organe të pushtetit publik që ushtrojnë funksionet e tyre mbi baza territoriale dhe veprojnë mbi bazën e parimit kushtetues të vetëqeverisjes.

R

Ratifikim - Akti me anën e të cilit organi kompetent i një shteti (si rregull, organi më i lartë i pushtetit shtetëror) miraton një marrëveshje ndërkombëtare në mënyrë përfundimtare, në kuptimin që kjo e fundit bëhet juridikisht e detyrueshme, d.m.th. sjell të drejta dhe detyrime ligjore, për shtetin ose organizatën ndërkombëtare që e ka nënshkruar atë.

Referendum - Praktika e hedhjes për votim në popull të një projektakti normativ (përfshirë ligjin kushtetues), rishikimi ose amendamenti të një akti normativ ekzistues,.

Rehabilitim - Rifitim i të drejtave të hequra ose të mohuara më parë për shkak të një dënimi të padrejtë apo një akti, veprimi apo mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore. Nënkupton çuarjen e personit të dëmtuar në statusin që ai kishte para ndërhyrjes së organeve shtetërore.

Republikë parlamentare - Model qeverisjeje në të cilin pushteti ndahet midis organeve kushtetuese në bazë të parimit të kontrolleve dhe ekuilibrave dhe ku parlamenti është pushteti suprem ligjvënës nga i cili rrjedhin dhe legjitimohen organet ekzekutive.

S

Sesion i jashtëzakonshëm - Një sesion legjislativ që thirret nga Kryetari i Kuvendit në periudhën midis dy sesioneve të zakonshme për të shqyrtuar ligje specifike.

Sovranitet - Pushtet politik suprem, fillestar (origjinar) në kuptimin që nuk rrjedh nga ndonjë pushtet tjetër në sensin juridik dhe është i pakushtëzuar nga pushtete të tjera. Prej këtij pushteti politik rrjedhin dhe legjitimohen të gjitha pushtetet e tjera. Dallohen dy tipe kryesore: Sovranitet i brendshëm dhe sovranitet ndërkombëtar.

Sistem sigurimi kolektiv - Struktura ndërkombëtare politiko-ushtarake që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe nxitjen e bashkëpunimit midis shteteve në fushën e mbrojtjes. Të tilla janë: NATO, Bashkimi Evropian Perëndimor, etj.

SH

Shpronësim - Kalim i një pasurie private në pronësi të shtetit për qëllime të rëndësishme publike.

Shtet demokratik - Konsiderohen demokratike ato shtete që garantojnë zgjedhje të përgjithshme periodike, të lira dhe të fshehta, pluralizëm politik dhe pluralitet të mjeteve të informacionit.

Shtet i së drejtës - Karakteristikat dalluese të shtetit të së drejtës janë:
1. Supremacia e ligjit si shprehje e sovranitetit popullor nëpërmjet parimit të përfaqësimit.
2. Një sistem hierarkik normash juridike, në krye të të cilit qëndron Kushtetuta.
3. Ndarja e pushteteve publike, secili me një sferë të caktuar kompetencash, si garanci e demokracisë.
4. Sistem garantues i lirive të parashikuara në Kushtetutë.
5. Parimi i ligjshmërisë (përputhja me kushtetutën dhe ligjet) së veprimeve të administratës dhe një sistem ankimimi kundër veprimeve administrative të paligjshme. Gjithashtu, shteti i së drejtës kërkon edhe garanci në drejtim të abuzimeve të mundshme të legjislativit me anë të kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve.

Shtet unitar - Shtet-komb në të cilin sovraniteti nuk ndahet vertikalisht me njësi të tjera si p.sh. shtete ose provinca; shtet jo-federal.

Shumicë absolute - Jo më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit plus një, pavarësisht nga numri i të pranishmëve.

Shumicë votash - Numri i nevojshëm i votave për marrjen e një vendimi te caktuar.

T

Taksë - Pagesa që personat fizikë dhe juridikë i paguajnë shtetit në këmbim të një shërbimi të ofruar prej këtij të fundit.

Tatim - Pagesa të detyrueshme që i cakton shteti në ngarkim të kontribuuesve të ndryshëm për t’u përdorur në mbulimin e shpenzimeve publike me karakter të përgjithshëm në mënyrë që të bëhet e mundur përmbushja e funksioneve të shtetit. Në dallim nga taksat, te tatimet mungon kushti i kthimit dhe kompensimit të drejtpërdrejtë.

Torturë - Veprim i kryer me qëllim, me urdhër apo pëlqim të një zyrtari publik, apo personi që vepron me kapacitetin e një personi të tillë, dhe që shkakton dhembje apo vuajtje të rënda, fizike ose mendore mbi një person për ta detyruar atë të japë të dhëna, për ta dënuar, frikësuar apo shtrënguar, ose për çdo qëllim të bazuar mbi diskriminimin.

V

Vendim gjyqësor i formës së prerë - Vendim përfundimtar dhe i paapelueshëm në një shkallë më të lartë gjyqësore.

Vepër penale - Veprim ose mosveprim që parashikohet si krim ose kundërvajtje penale nga Kodi Penal ose ligje të tjera penale.

Votim i fshehtë - Fshehtësia është një nga parimet themelore të procesit të votimit që ka për qëllim t’u sigurojë të gjithë zgjedhësve mundësinë të votojnë plotësisht të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kontrolli dhe asnjë lloj kushti nga ana e të tjerëve. Për një fshehtësi efektive të votës, vendosja e shenjës në fletën e votimit kryhet jashtë shikimit të të tjerëve, në ndarje të veçanta për këtë qëllim dhe fleta hidhet e palosur në kutinë e votimit.

Z

Zgjedhje të lira - Votim i kryer në kushte të tilla që sigurojnë shprehjen e pavarur të vullnetit të individit në lidhje me zgjedhjen e subjektit elektoral apo të kandidatit, fshehtësinë e votës, proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent të numërimit të votave dhe të shpalljes së rezultateve të votimit.

0 commenti:

Shënim i Stafit

Opinionet e shprehura dhe studimet juridike e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese rreth së drejtës së autorit ne publikimet e ketij website, është I lutur te dërgoje një email edrejta1@gmail.com. Ne do ta shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni të drejtën e autorit